|

KOMITETI
I PAJTIMIT MBARËKOMBËTAR
Tiranë
më 27 korrik 2005
Deklaratë
për opinionin publik mbi konstatimet e ekspeditës së misionarëve
të pajtimit
Në
prag të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, nga
data 20 maj deri më 8 korrik, Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar
organizoi një ekspeditë vullnetare 45-ditore në të
gjitha fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë. Ekspedita pati si
qëllim mbajtjen nën kontroll gjatë fushatës elektorale
të familjeve në hasmëri, si dhe parandalimin e konflikteve
të reja. Ajo u udhëhoq nga 160 aktivistë, kryetarë
grupesh, dhe aktivizoi në të gjithë teritorin e Republikës
2680 misionarë.
Ekspedita i shpreh falenderimin e sinqertë Drejtorisë së
Përgjithëshme të Policisë së Shtetit dhe punonjësve
të saj nëpër rrethe për gatishmërinë dhe
bashkëpunimin profesional që treguan në zgjidhjen me mirëkuptim
të mjaft situatave konfliktuale, si dhe për ndihmën që
dhanë në transportin e misionarëve. Fatkeqësisht,
ekspedita nuk mundi ta ndalonte vrasjen tragjike të dt 3 maj në
Dukagjin të Matit ku ishte zënë pritë dhe u qëllua
ndaj tre fëmijë që shkonin në shkollë, Artani,
Adi dhe Nina Nuka. Nga të shtënat mbeti i vrarë djali i
madh Artani. Po kështu me dt. 18 qershor në Ishëm të
Durrësit u ekzekutuan për gjakmarrje tre pjestarë të
familjes Gjokejaj, në mes të të cilëve edhe një
fëmijë 13 vjeçar. Pjestarët e Ekspeditës nuk
kishin asnjë informacion mbi konfliktin në Shkollën “Hasan
Prishtina” në Tiranë që i mori jetën vëzhguesit
të Partisë Republikane. T. Vathi. Ekspedita, gjithashtu, nuk
ka pasur asnjë sinjal që dëshmonte mbi rrezikun që
i kanosej jetës së kryetarit të Partisë Demokratike
të Rrethit të Hasit, Z. Behar Kastrati. Në rastin e Z.
Kastrati, misionarët e pajtimit të qarkut Kukës shprehin
gatishmërinë për të dhënë ndihmën e
tyre për zgjidhjen e çështjes në çdo rrethanë
që kërkohet.
Gjatë punës së saj 45 ditore ekspedita konstatoi se hasmëritë
më të thella janë ato që lindin e trashëgohen
për shkaqe vrasjesh. Me këtë motiv vazhdojnë të
jenë në konflikt 1460 familje, 738 prej tyre janë të
ngujuara ndërsa 722 të tjera kanë deklaruar heqjen dorë
nga gjakmarrja vetëm nëse vrasësi merr një dënim
të drejtë nga shteti. Nga dhunimi i familjes, trafikimi i femrave
dhe cënimi i dinjitetit të personit janë prekur rreth 4500
familje, të cilat përbëjnë një kontigjent të
ri hasmërie. Për shkaqe pronësie, vetëm në zonën
e Nënshkodrës dhe fshatrat e Zadrimës kanë rënë
në konflikt 1600 familje me lidhje gjaku, të cilat, edhe pse
u përkasin vëllezërve dhe kushërinjve të parë,
mund të shkojnë në çdo çast drejt gjakderdhjes.
Misionarët e Pajtimit, edhe pse kanë qenë të vetëm
e pa përkrahje në përpjekjet e tyre të vazhdueshme
për ndalimin e vrasjeve, kanë pasur vazhdimisht arritje. Në
sajë të punës së tyre 430 familje të vajzave
të trafikuara janë përfshirë në bashkëbisëdime
për ta mbyllur çështjen pa gjakderdhje e pa e bërë
publike duke pranuar kthimin e vajzës pranë familjes. Janë
kthyer pranë familjeve deri tani rreth 280 vajza të mashtruara,
23 prej të cilave janë martuar me tutorin dhe vazhdojnë
jetën normale në vendin e tyre. Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar
ka angazhuar në çdo fshat grupet treshe të punës
të përbëra nga drejtori i shkollës, kryeplaku dhe
një përfaqësues i komunitetit të cilët po punojnë
për orientimin e traditës në mbështetje të shtetit
të së drejtës kundër akteve të turpshme e veprave
kriminale.
Mbas kongresit të Dytë të Misionarëve të Pajtimit,
që u mbajt më 17 shtator të vitit 2004, Komiteti i Pajtimit
Mbarëkombëtar ka arritur me sukses të sigurojë azil
për 611 familje të kërcënuara nga gjakmarrja. Vendet
që sigurojnë azil janë kryesisht ato të Europës
Perëndimore si dhe Kanadaja e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Fatkeqësisht Qeveria Shqiptare ka nënshkruar aktmarrëveshje
për kthimin nga vendet e Europës Perëndimore të emigrantëve
shqiptarë që nuk kanë leje qëndrimi. Duke parë
gjendjen e varfërisë ekstreme dhe konfliktet që rrezikojnë
jetën e qytetarë dhe familjeve shqiptare, këto aktmarrëveshje
janë antihumane dhe në kundërshtim me Kartën Botërore
të të Drejtave të Njeriut.Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar
u bën thirrje anëtarëve të rinj të Parlamentit
e të Qeverisë së re të bëjnë përpjekje
për rishikimin e këtyre aktmarrëveshje.
Komuniteti Ndërkombëtar u ka dhënë kontribute të
herëpasherëshme qeverisë dhe institucioneve të shtetit
për nxjerrjen nga situata të familjeve të përfshira
në gjakmarrje si dhe viktimave të trafikimit të qenjeve
njerëzore. Fatkeqësisht, ekspedita konstatoi se familjet e përfshira
në konfliktet e gjakmarrjes apo të trafikimit të qenjeve
njerëzore nuk kanë anjë dijeni për projektet e qeverisë
apo donatorëve mbi rehabilitimin e tyre. Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar
i kërkon Parlamentit të ri shqiptar, Qeverisë së re,
Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Prokurorit të Përgjithshëm
të verifikojnë se ku kanë përfunduar rreth 40.000.000
USD që komuniteti ndërkombëtar dhe taksa-paguesit shqiptar
u kanë dhënë qeverisë shqiptare dhe këtyre institucioneve
për këto projekte.
Trafikimi i vajzave dhe i grave shqiptare ka sjellë shpesh herë
vrasje tragjike deri në hedhjen në erë të familjes
së trafikantit. Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar ka konfirmuar
edhe më parë se varfëria dhe krimi i organizuar kanë
bërë të mundur që më se 30 000 gra e vajza nga
Republika e Shqipërisë, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia të
prostituojnë, brenda dhe jashtë vendit, nën kontrollin
e plotë të trafikantëve që kanë kryer më
shumë se një krim. Në çdo tre orë në xhepin
e këtyre trafikantëve futen 2,1 milion dollarë. Ky mbetet
burimi kryesor i vrasjeve për hakmarrje e gjakmarrje.
Fatkeqësisht projektet e donatorëve ndërkombëtarë
hartohen dhe planifikohen sipas metodave dhe mënyrave të tyre
pa njohur terrenin, mentalitetin dhe psikologjinë e popullit shqiptar.
Mbi 90 % e këtyre projekteve nuk kanë gjetur zbatim në
terren dhe nuk njihen nga grupet në nevojë. Kjo ka ndodhur dhe
vazhdon të ndodhë kryesisht me projektet e luftës kundër
gjakmarrjes, korrupsionit, të trafikut të qenjeve njerëzore
dhe të barazisë gjinore, edhe pse publiku ka qenë shumë
i ndjeshëm.
Komuniteti Ndërkombëtar, Qeveria dhe Parlamenti i ri shqiptar
duhet të përballen më me përgjegjësi me këtë
gjendje. Strategjia e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar
për orientimin e traditës në mbështetje të shtetit
të së drejtës kundër fenomeneve negative të shoqërisë
ka gjetur mbështetje në popull, pasi Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar
çdo çështje e ballafaqon në terrenin konkret,
e konsulton me publikun dhe për zgjidhjen e tyre kërkon vendimmarrjen
në komunitet. Bashkëpunimi i shtetit shqiptar dhe organizatave
ndërkombëtare me Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar
do të ishte një hap pozitiv për forcimin e shtetit të
së drejtës tek shqiptarët.
|