|
Parlamenti Europian diskuton mbi
Gjakmarrjen në Shqipëri.
Ne takimin e 12 ndërparlamentar, që u mbajt
me 24 dhe 25 nëntor 2005, në Tiranë, parlamentarët
europianë morën në shqyrtim fenomenin e gjakmarrjes në
Shqipëri. Parlamentarët Europianë dëgjuan fjalën
e Z. Gjin Marku, Kryetar i Komitetit të Pajtimit Mbarëkmbëtar
mbi shkaqet dhe përhapjen e këtij fenomeni në Shqipëri.
Mbas diskutimeve u vendos që, në rezolutën e këtij
takimi, pika 14, ti bëhet thirrje shtetit shqiptar të përmirësojë
ligjet dhe kodin penal në lidhje me këtë fenomen tragjik.
Kryetarja e Delegacionit Europian Znj. Doris Pack u shpreh se do paraqesë
pranë instancave të larta të BE-së shqetësimin
rreth kësaj gjendje dhe do kërkojë mbrojtjen e familjeve
që emigrojnë për shkak të gjakmarrjes në vendet
BE-së.
Fjala
e Z. Gjin Marku në takimin Ndërparlamentar
E
nderuara Zonja Doris Pack
Te nderuar pjesmarrës.
Në emër të Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar
dhe të gjitha shoqatave të pajtimit ju shpreh falenderimin për
preokupimin dhe trajtimin në këtë takim të fenomenit
të gjakmarrjes.
Fenomeni tragjik i gjakmarrjes ka rrënjë të thella e të
dyfishta, si tek mentaliteti e kultura e trashëguar ashtu edhe tek
kriza shoqërore e shfaqjet negative të viteve të tranzicionit.
Gjatë këtyre viteve, në mungesë, si të strukturave
shtetërore ashtu dhe të hierarkive tradicionale, vrasjet për
hakmarrje e gjakmarrje janë shfaqur në mënyrë tragjike,
barbare dhe shumë të rrezikshme për një numër
të madh familjesh, veçanërisht për jetën e
grave dhe të fëmijëve.
Rikthimi i kanunit për vendosjen e rregullit në komunitet dhe
shfaqja e ligjit zakonor të gjakmarrjes erdhi si reagim i qytetarëve
të kërcënuar e të pambrojtur nga shteti, i cili nuk
ka mundur të ushtrojë autoritetin e tij.
Kur nuk kishin shtetin e tyre, Kanuni ishte kushtetuta e shqiptarëve.
Gjakmarrja, si institucioni i këtij kanuni, sanksiononte dënimin
me vdekje për vrasësin, apo dhunuesin e pronës e të
familjes. Këto organizime ishin të justifikuara për kohën
e tyre, për shkak se populli shqiptar, historikisht pa përkrahje,
është përballur prej shekujsh me shtypjen dhe sundimin
e regjimeve të huaja. Ky represion i vazhdueshëm e ka detyruar
atë të kërkojë në vetvehte mjetin e mbijetesës.
Për të mbrojtur jetën, familjen, pronën dhe ekzistencën
si komb, shqiptarët themeluan e trashëguan për shumë
shekuj ligjet dhe të drejtat e tyre të sanksionuara në
Kanun, i cili ishte më i respektuar e më i dashur se Bibla apo
Kurani.
Me shpalljen e pavarësisë e themelimin e shtetit shqiptar në
vitin 1912 filluan përpjekjet për vendosjen e shtetit ligjor.
Por mosbesimi ndaj shtetit dhe tendenca e vetmbrojtjes e udhëhoqi
ndërgjegjen e shqiptarëve edhe në shekullin e 20-të.
Kjo tendencë u shfaq veçanërisht mbas vitit 1913, kur
u bë ndarja e teritorit shqiptar nga fuqitë e mëdha, dhe
vazhdoi deri në vitin 1928, me formimin e Mbretërisë Shqiptare.
Mbretëria, gjatë viteve 1928 - 1939 dha një shembull të
shkëlqyer për vendosjen e rendit të ri kushtetues. Çdo
ligj i kushtetutës u hartua në konsultë me qytetarët
e krahinave dhe përfaqësuesit e popullit, duke bërë
që populli ta konsideronte kushtetutën pronë të tij
dhe t’i përulej asaj me respekt. Në vitin 1939, gjakmarrja
ishte drejt eleminimit të plotë për shkak të solidaritetit
të qytetarëve me ligjin dhe ndikimit të madh që pati
funksionimi i mirë i drejtësisë. Shqipëria u bë
një shtet demokratik e modern.
Mbas luftës së dytë botërore, me vendosjen e regjimit
komunist ligji veproi arbitrarisht, ekzekutimin e vrasësit e mori
përsipër shteti duke mos i lënë vend aplikimit të
gjakmarrjes. Krahas masave ekstreme për kontrollin ndaj individit,
shteti ndaloi me ligj edhe besimet fetare, asgjësoi institucionet
e tyre si dhe shumë vlera të trashëgimisë zakonore
duke bërë kështu efektin e kundërt e negativ tek bindjet
e qytetarëve. Për të zbutur këtë efekt, përfaqësuesit
e shtetit njëpartiak u detyruan të kërkonin bashkëpunimin
me popullin duke aplikuar vendimmarrjet kolektive për vendosjen e
rregullit në komunitet. Shteti ndërtoi urën e komunikimit
me të gjitha nivelet e shoqërisë për hartimin e ligjit
dhe konsolidoi regjimin me mbështetjen e qytetarëve.
Fatkeqësisht ky bashkëpunim e kjo urë komunikimi e klasës
politike me popullin nuk u ndërtuan gjatë këtyre 15 viteve
të pluralizmit politik. Papërgjegjshmëria e megallomania
e kësaj klase politike ka bërë që mendimet e sugjerimet,
tepër të nevojshme, që vijnë nga komuniteti, të
mos përfillen. Të vetmet institucione që kanë bërë
disa përpjekje të vakëta për të siguruar këtë
urë komunikimi kanë qenë, presidenti i Republikës,
policia e shtetit dhe avokati i popullit, por bashkëpunimi duhet
të nisë me ndërtimin e ligjit. Shembull tipik i këtij
mosbashkëpunimi, me pasoja shumë të rënda, ishte ligji
7501 mbi tokën, i cili u miratua me konsensusin e dy partive të
mëdha. Në pjesën më të madhe të territorit
të Shqipërisë ky ligj as nuk u pranua as u vu në zbatim.
Në zonat ku ai është zbatuar ka sjellë konflikte duke
shkaktuar vrasje edhe midis familjeve me lidhje gjaku. Vetëm në
Komunën e Bushatit dhe disa fshatra të Nënshkodrës
numërohen 1600 familje të tilla. Në shkallë vendi
ky ligj ka sjellë hasmëri në mbi 15 000 familje që
në çdo çast mund të shkaktojnë gjakderdhje
midis tyre. Kjo mungesë përgjegjësie e klasës politike
dhe institucioneve shtetërore është prezente në çdo
aspekt të jetës shoqërore duke i hapur kështu rrugë
veprimit kaotik e çorganizimit të shoqërisë, përhapjes
së krimit dhe vetgjyqësisë. Me vetegjyqesi u eshte marre
padrejtesisht jeta rreth 5000 shiptarëve. Nga viti 1991 deri në
vitin 1998, 2300 familje u futën në ngujim për shkak të
hasmërisë midis tyre. Vrasjet dhe urrejtjet midis individëve
apo grupeve brenda shoqërisë u shtuan veçanërisht
në vitet 1996-1997 nga lufta e ashpër politike dhe rrëzimi
i firmave piramidale. Vetëm në vitin 1997 pati 1500 të
vrarë. Në vitin 2002, ishin larguar jashte shtetit per t’iu
fshehur vrasësit 1270 burra duke lënë për vite me
radhë peshën e vuajtjes dhe përpjekjeve për mbijetesë
mbi gratë dhe fëmijët. Fatmirësisht, sot, shumica
e tyre është bashkuar me familjet mbas sigurimit të azilit
në vendet perëndimore. Në sajë të punës
së admirueshme të misionarëve të pajtimit sot, realisht
janë të ngujuara vetëm 720 familje me 260 fëmijë
nga të cilët 93 të rrezikuar seriozisht për jetën.
Strategjia e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar për
orientimin e traditës në mbështetje të shtetit të
së drejtës kundër fenomeneve negative të shoqërisë
ka gjetur mbështetje në popull, pasi Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar
çdo çështje e ballafaqon në terrenin konkret,
e konsulton me publikun dhe për zgjidhjen e tyre kërkon vendimmarrjen
në komunitet. Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar ka angazhuar
në çdo fshat grupet treshe të punës të përbëra
nga drejtori i shkollës, kryeplaku dhe një përfaqësues
i komunitetit të cilët udhëhiqen nga bordet e rretheve
e të qyteteve për zbatimin e kësaj strategjie. Kjo ka bërë
të mundur gërshetimin e veprimtarisë së misionarëve
me përfaqësuesit e shtetit, të policisë dhe intelektualëve
duke i dhënë kështu rolin udhëheqës dhe autoritetin
ligjit.
Populli shqiptar e do shtetin dhe ligjin, por ai sot po vuan nën
stresin e varfërisë ekstreme, të mungesës së
shërbimeve më elementare dhe sigurisë për jetën.
Shumica e qytetarëve kanë humbur shpresat për të ardhmen.
Papunësia kap shifrat më të larta të vendeve të
lindjes. Duke mos gjetur rrugëdalje, shumica e të rinjve kanë
përqafuar rrugën e krimit, mijra vajza janë të detyruara
të prostituojnë rrugëve të Europës. Gratë
dhe vajzat e trafikuara janë nën kontrollin e plotë të
trafikantëve që kanë kryer më shumë se një
krim. Në çdo tre orë në xhepin e këtyre trafikantëve
futen 2,1 milion dollarë. Për shkak të trafikimit të
femrave 4600 familje janë në konflikt të thellë. Ky
fenomen ka sjellë shpesh herë vrasje tragjike deri në hedhjen
në erë të familjes së trafikantit. 40% e vrasjeve
për hakmarrje e gjakmarrje janë pasojë e kësaj veprimtarie.
Misionarët e Pajtimit kanë qenë të vetmit në
përpjekjet për ndalimin e këtyre vrasjeve. Megjithëse
pa përkrahje ata kanë arritur të mbajnë nën kontroll
më shumë se 80% të konflikteve. Pjese e rëndësishme
në punën e tyre ka qenë veprimi në mirëbesim
për kthimin e vajzave të trafikuara dhe mbylljen e konfliktit
pa e bërë publike, duke mbrojtur kështu dinjitetin e vajzës
dhe shmangur gjakderdhjen.
Fatkeqësisht strategjitë e qeverisë dhe projektet e donatorëve
ndërkombëtarë hartohen dhe planifikohen sipas metodave
dhe mënyrave të tyre pa njohur terrenin, mentalitetin dhe psikologjinë
e qytetarëve. Mbi 90% e këtyre projekteve nuk kanë gjetur
zbatim në terren dhe nuk njihen nga grupet në nevojë. Kjo
ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë kryesisht me strategjitë
dhe projektet e luftës kundër trafikut të qenjeve njerëzore,
gjakmarrjes e korrupsionit.
Për verifikimin dhe mbajtjen nën kontroll gjatë fushatës
elektorale të familjeve në hasmëri, si dhe parandalimin
e konflikteve të reja, nga data 20 maj deri më 8 korrik 2005,
Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar organizoi një ekspeditë
vullnetare 45-ditore në të gjitha fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë.
Ajo u udhëhoq nga 160 aktivistë, kryetarë grupesh, dhe
aktivizoi në të gjithë territorin e Republikës 2680
misionarë. Fatkeqësisht, ekspedita konstatoi se familjet e përfshira
në konfliktet e gjakmarrjes apo të trafikimit të qenjeve
njerëzore nuk kanë anjë dijeni për projektet e qeverisë
apo donatorëve për rehabilitimin e tyre.
Ekspedita konstatoi se gatishmëria dhe bashkëpunimi profesional
i Policisë së Shtetit në zgjidhjen me mirëkuptim të
mjaft situatave konfliktuale, ka qenë shumë i dobishëm.
Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar ka vlerësuar vazhdimisht
përpjekjet dhe sakrificat e punonjësve të Policisë
së Shtetit përballë krimit të të gjitha llojeve.
Nga radhët e tyre sot kemi rreth 400 të vrarë në krye
të detyrës. Ne kemi pasur një bashkëpunim të
mirë si me komisariatet në rrethe ashtu dhe me drejtuesit qëndror
të kësaj policie. Bashkëpunimi ka qenë si në
parandalimin e rasteve të dhunës e vrasjeve ashtu edhe në
ndërgjegjësimin e qytetarëve për të respektuar
ligjin. Strukturat e policisë së shtetit janë ne nivel
më të lartë përgjegjësie se institucionet e tjera
të luftës kundër krimit. Por policia nuk është
mbështetur si duhet nga prokuroria e gjykatat.
Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar ka bërë publike
disa herë rastet flagrante kur policia në bashkëpunim me
misionarët e pajtimit, për të shmangur gjakderdhjen midis
familjeve, ka ndaluar autorin e krimit, por ai është liruar
nga prokuroria dhe gjykata. Lirimi i kriminelëve ose lehtësimi
i dënimit të tyre ka sjellë reagimin e palës së
viktimës duke shkaktuar ekzekutimin për gjakmarrje të kriminelit
ose pjestarëve të familjes së tij.
Populli e ka konsideruar si jo të drejtë ligjin që dënon
nga 25 vjet deri në burgim të përjetshëm vrasësin
për gjakmarrje, kur krimineli ose vrasësi i mëparshëm
është i lirë ose ka marrë një dënim qesharak.
Ky handikap ka shkaktuar disa herë vrasje zinxhir mes familjesh apo
fisesh.
Ky moment papërgjegjshmërie ka sjell ngujimin për vite
të tëra të familjeve duke privuar lirinë e qindra
të pafajshmëve. Në kësi rastesh bëhet shumë
e vështirë edhe ndërhyrja ligjore e shtetit apo e organeve
të policisë mbasi të afërmit e viktimës nuk shprehen
për marrjen e gjakut por vetëm deklarojnë se nuk e falin
vrasësin. Në këto rrethana Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar
ka sugjeruar largimin e përkohshëm nga vendbanimi i familjeve
të personave të ngujuar. Mbas kongresit të Dytë të
Misionarëve të Pajtimit, që u mbajt më 17 shtator
të vitit 2004, me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar,
Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar ka arritur të sigurojë
azil për shumë familje të kërcënuara nga gjakmarrja.
Vendet që sigurojnë azil janë kryesisht ato të Europës
Perëndimore si dhe Kanadaja e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Fatkeqësisht Qeveria Shqiptare ka nënshkruar aktmarrëveshje
për kthimin nga vendet e Europës Perëndimore të emigrantëve
shqiptarë që nuk kanë leje qëndrimi. Duke parë
gjendjen e varfërisë ekstreme dhe konfliktet që rrezikojnë
jetën e qytetarëve dhe familjeve shqiptare, këto aktmarrëveshje
janë antihumane dhe në kundërshtim me Kartën Botërore
të të Drejtave të Njeriut. Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar
u bën thirrje anëtarëve të rinj të Parlamentit
e të Qeverisë së re të bëjnë përpjekje
për rishikimin e këtyre aktmarrëveshje në bashkëpunim
me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar dhe të
qeverive të vendve ku ato kanë emigruar.
Megjithëse ka përpjekje dhe vullnet të mirë nga qeveria
e re për të mbajtur fjalën e dhënë para popullit
ose për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive
me shoqërinë civile do të duhet shumë kohë dhe
punë për vendosjen e besimit të popullit ndaj shtetit.
Institucionet e Shtetit nuk gëzojnë autoritet dhe besim në
popull. Hartimi i ligjeve nga grupet parlamentare i ka shërbyer më
shumë grupimeve politike për vendosjen e interesave vetjake
e pushtetit personal mbi shoqërinë. Çdo qytetar shqiptar
e ka shumë të vështirë të mendojë se mund
të kontribuojë apo të bëhet pjesë e zgjidhjes
së problemeve me votën e tij.
Për ruajtjen e sundimit, kjo klasë politike ka gjeneruar vazhdimisht
nxitjen e konflikteve shoqërore, psikologjinë e vrasjes, urrejtjen
dhe ndasitë historike duke e katandisur gjendjen psikologjike e ekonominë
e shqiptarëve në nivel shumë më të ulët
se vendet më të varfëra në botë.
Fatkeqësisht, Komuniteti Ndërkombëtar nuk i ka analizuar
me objektivitet shkaqet e gjendjes në Shqipëri dhe veprimet
e klasës politike. Politikanët shqiptarë i prezantojnë
kërkesat e Komuniteti Ndërkombëtar si detyra ndaj tyre,
si një formalitet juridik e jo si një çështje e
gjithë shoqërisë shqiptare. Secili prej qytetarëve
shqiptarë do të bëhet pjesë e përpjekjeve dhe
e përgjegjësisë për ndërtimin e Europës
së Bashkuar ndaj dhe kërkohet një këndvështrim
i ri i çështjes së integrimit të Shqipërisë
në Europë.
Mendojmë se duke i ballafaquar hapur e kritikuar ashpër të
metat tona nuk do gjejmë stepjen e institucioneve të Europës
për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Shqipërinë,
por do të rrisim përgjegjësinë e dyanëshme ndaj
kësaj marrëveshje. Populli ynë është ndër
popujt më të vjetër të Europës dhe kjo marrëveshje
s’duhet të konsiderohet as si lëmoshë e as si presion.
Ne jemi pjesë e Europës. Europa ka një borxh ndaj shqiptarëve.
Bashkimi Europian ku aderojnë e luajnë rolin kryesor ish fuqitë
e Mëdha duhet të japë një kontribut shumë më
të madh se ai i deritashëm për nxjerrjen e vendit tonë
nga kjo gjendje. Ky kontribut është i nevojshëm të
jepet falas, veçanërisht në sistemin energjetik, infrastrukturën
rrugore, në rrjetin e arsimit e të shëndetësisë
si dhe fuqizimin e kapaciteteve të bisnesit vendas.
Kjo mbështetje do bënte një efekt shumë pozitiv edhe
tek qytetarët shqiptarë që ende se kanë besimin e
plotë në dashamirësinë e Europës. Vetëm
në këtë formë do kemi zhvillim të shpejtë
ekonomik, rritje të nivelit të jetesës, zhdukje të
varfërisë, kontroll mbi krimin e organizuar e ndryshimin e mentalitetit
të gjakmarrjes. Në luftën kundër fenomenit të
gjakmarrjes ne i kemi kushtuar vëmendje edhe çrrënjosjes
së mentalitetit patriarkal në shoqëri. Mentaliteti patriarkal
ka bërë që gjatë periudhës 2002-2005, në
Shqipëri të dhunohen në mënyrë tragjike 126 familje
duke lënë të vrarë, jo vetëm gruan, por edhe
fëmijët.
Varfëria dhe krimi i organizuar kanë bërë që,
më shumë se 30 000 gra e vajza, të punojnë si prostituta
në vendet e ndryshme të Europës. Kjo ka sjellë reagimin
e ashpër të bashkëshortëve, vëllezërve,
baballarëve apo kushërinjëve të parë duke sjellë
viktima edhe brenda familjes. Burrat e të rinjtë e zonave rurale
e perifive te qyteteve, në kushtet e mjerimit ekstrem, janë
dhënë pas alkolit. Kjo gjendje ka qenë një predispozitë
më tepër për rritjen e akteve të dhunës, grindjeve
e vrasjeve momentale, cënimit të femrave që më pas
shëndrrohen në gjakmarrje. Ky takim ka një rëndësi
të veçantë për nga pjesmarrja por do të dëshironim
ta merrte këtë rëndësi nga vendimet dhe angazhimi
konkret i secilit nga ne për të bërë maksimalen që
gjendja në Shqipëri të ndryshojë.
Komiteti
i Pajtimit Mbarëkombëtar kërkon që nëpërmjet
këtij takimi:
-T'i prezantojë parlamentit europian, Bashkimit Europian, Këshillit
të Europës si dhe OSBE-së nevojën për një
mbështetje më të plotë të demokracisë dhe
përparimit të reformave në Shqipëri si dhe marrjen
në mbrojtje të të gjitha familjeve që emigrojnë
për shkak të gjakmarrjes nga Shqipëria, duke marrë
në konsideratë se shteti dhe shoqëria shqiptare, përkohësisht
nuk kanë mjetet e duhura kundër këtij fenomeni dhe sigurimin
e jetës së familjeve që janë në hasmëri.
-Të ftojë vendet anëtare të BE-së të aktivizojnë
të gjitha potencialet e mundëshme për të ofruar më
tepër projekte për popullsinë e zonave rurale në Shqipëri.
-Të ftojë Kuvendin e Shqipërisë të kontribuojë
më tej në përmirësimin e ligjit në luftën
kundër gjakmarrjes.
-Të ftojë Qeverinë Shqiptare dhe Organizatën e Kombeve
të Bashkuara që të vënë plotësisht nën
kontroll grumbullimin dhe regjistrimin e armëve.
-Të ftojë Organet shqiptare të ndjekjes, hetimit dhe zbatimit
të ligjit të ngrenë nivelin e bashkëpunimit me komunitetin
dhe shoqërinë civile për zbulimin, parandalimin dhe ndëshkimin
e operatorëve të krimit të organizuar.
-Të ftojë sistemin gjyqësor, të japë drejtësi
dhe të luftojë elementët e komprometuar nëpër
gjykata.
-Të ftojë Qeverinë Shqiptare të marrë masat dhe
vendimet përkatëse që, të gjitha institucionet e nivelet
e administratës së shtetit shqiptar, të kenë statistikat
e familjeve në konflikt për shkaqe të pronësisë
mbi tokën e trafikimin dhe të ndërmarrë veprime të
posaçme për shmangien e vetgjyqësisë.
-Të ftojë klerin që të luajë një rol më
të madh në emancipimin e shoqërisë shqiptare.
-Të ftojë Qeverinë Shqiptare për të investuar
më tej në ngritjen e qendrave mësimore dhe edukative për
fëmijët jetimë e të ngujuar duke shfrytëzuar
ish shtëpitë kulturore të ushtarakëve si dhe ndërtesat
e tjera me karakter publik që lihen mbas dore për tu privatizuar.
-Të ftojë Ministrinë e Arsimit dhe e Shkencës, të
ngrejë në një nivel më të lartë punën
edukative në shkolla, që fëmijët të paisen me
njohuri më të plota mbi dashurinë, punën, jetën
dhe familjen, të drejtat e detyrimet në një shoqëri
kontemporane.
-Të ftojë mediat të kontrollojnë botimet dhe emisionet
që mund të nxisin psikologjinë e vrasjes për gjakmarrje.
Ju
faleminderit
|