RRJETI PËR DEMOKRACI DHE SHTETIN E SË DREJTËS
ME INICIATIVË
TË KOMITETIT TË PAJTIMIT MBARËKOMBËTAR
PROMEMORIE
Për
ndryshimin e gjendjes politiko-shoqërore, prishjen e monopolit
dhe përshpejtimin e proceseve të integrimit.
Tiranë më 21 qershor 2004
DREJTUAR
Opinionit Publik Shqiptar.
Presidentit të Republikës së Shqipërisë
Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë
Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë
Besimeve fetare
Partive Politike, Mediave dhe Organizatave joqeveritare.
Këshillit të Europës
Bashkimit Europian
OSBE-së
Departamentit të Shtetit të SH B A - së
RRJETI PËR DEMOKRACI DHE SHTETIN E SË
DREJTËS
DUKE
VLERËSUAR SE NË SHQIPËRI:
1-
Demokracia është e brishtë dhe shteti ligjor nuk funksionon.
- Në këto 14 vjet, klasa politike nuk ka shfaqur aftësi
as ka mundur të ruaj vlerat e traditës shqiptare për
rregullin në komiunitet e shtetformimin. Populli shqiptar, edhe
pse është prezantuar me dinjitet para kombeve të qytetëruara
deri në fillim të tranzicionit postkomunist, sot, gjykohet
si një popull i papranueshëm në bashkësinë
europiane.
-Institucionet e Shtetit shqiptar nuk gëzojnë autoritet në
popull, ligji dhe kushtetuta janë zhvlerësuar nga keqpërdorimi
i politikës dhe administratorëve, në kundërshtim
me interesat e publikut. Klasa politike miraton ligje sipas standarteve
ndërkombëtare por nuk i zbaton ato dhe as i implementon në
shoqëri.
-Rikthimi i traditës kanunore për vendosjen e rregullit në
komunitet dhe i zakonit të gjakmarrjes është reagim i
një shoqërie të pambrojtur e të braktisur nga shteti.
-Krimi është kthyer në sistem që me krijimin e firmave
piramidale gjatë viteve 1994-1996, dhunimin e institucioneve e
konfliktet me armë në vitin 1997, trafikimin e armëve
dhe elmenteve radioaktive në vitet 1998-1999 dhe vazhdon në
ditët e sotme me trafikun e drogës, kontrabandën, korrupsionin,
mungesën e transparencës dhe vënien e shërbimeve
informative dhe strukturave ligjore, nën kontrollin e lidershipit
partiak.
- Popullit shqiptar akoma i mbahen fshehur iniciatorët e krijimit
të firmave piramidale, organizatorët e vrasjeve, terrorit
e dhunës mbi popullsinë dhe shtetin në ngjarjet tragjike
të vitit 1997 si dhe prapaskenat politike pas këtyre ngjarjeve.
-Trafikimi i ligjeve midis grupeve parlamentare për përvehtësimin
e pasurisë publike e pronave private, krijimin e monopoleve në
treg si dhe kufizimin e lirisë së mediave e të shoqërisë
civile, është tregues se kjo klasë politike nuk mund
të shkëpuetet nga lidhjet që ka me krimin e organizuar.
-Grupimet politike sunduese kanë dhunuar vazhdimisht ligjin elektoral
duke fituar pushtet mbi votën. Çdo qytetar shqiptar e ka
shumë të vështirë të mendojë se mund të
kontribuojë apo të bëhet pjesë e zgjidhjes së
problemeve me votën apo qëndrimin e tij.
-Zhvillimi i demokracisë, reformat shoqërore dhe jeta politike
janë nën ndikimin negativ të një pakice të
fuqizuar me mjete të paligjshme. Kjo klasë sunduese, për
ruajtjen e monopolit politik ka gjeneruar vazhdimisht nxitjen e konflikteve
shoqërore, psikologjinë e vrasjes, urrejtjen dhe ndasitë
historike.
2- Gjendja ekonomiko-shoqërore po rëndohet gjithnjë e
më shumë
Ekonomina dhe jeta e shqiptarëve është në nivelin
e vendeve më të varfëra në botë dhe mbahet
kryesisht nga përpjekjet e qindra mijë emigrantëve, që,
në këto 14 vjet, kanë punuar me shpresën se do kthehen
shpejt për investime në vendin e tyre.
Reformat, ekonomia, prodhimi vendas e turizmi pengohen nga klanet uzurpuese
të politikës dhe lufta pa princip midis tyre. Ligji i pronave
vazhdon të shkaktojë gjakderdhje. Vendi është braktisur
e shkatërruar, njerëzve u mungon drita, uji dhe komunikimi.
Dhuna dhe vrasjet kanë fituar terren edhe brenda familjes.
Gjatë këtyre viteve, rreth 8 miliard dollarë të
taksapaguesve shqiptarë si dhe rreth 1,5 miliard të donatorëve
ndërkombëtarë i kanë shërbyer më shumë
korrupsionit e krimit të organizuar se sa zhvillimit të vendit.
Populli vuan nën stresin e varfërisë ekstreme, mungesës
së shërbimeve më elementare dhe sigurisë për
jetën. Shumica e qytetarëve kanë humbur shpresat për
të ardhmen, janë kthyer në një jetë të
plogësht, të mpirë e në apati. Papunësia kap
shifrat më të larta të vendeve të lindjes. Duke
mos gjetur rrugëdalje, shumë të rinj kanë përqafuar
rrugën e krimit, mijra vajza janë të detyruara të
punojnë rrugëve të Europës si prostituta. Qeveritë,
jo vetëm nuk e kanë inkurajuar, por, e kanë penguar zhvillimin
e tregut dhe të aktiviteteve prodhuese vendase. Pyjet, tokat prodhuese
dhe infrastruktura bujqësore janë shkatërruar. Politikat
tregtare favorizojnë mallrat e importit të cilat nuk garantojnë
as cilësinë as sigurinë ndaj shëndetit dhe jetës
së qytetarëve.
3- Politika pengon dhe synon kontrollin mbi shoqërinë
civile
Prej më se një viti shoqëria civile shqiptare ka kërkuar
rritjen e sensit dhe kulturës qytetare për protestën,
si një faktor shumë i rëndësishëm për
demokracinë.
Format e reja të protestës të udhëhequra nga shoqëria
civile, kanë fituar simpatinë e opinionit publik. Por ndaj
këtyre protestave paqësore, shoqërisë civile dhe
mediave që i kanë mbështetur ato, po ushtrohet një
trysni e fortë politike, me akuza, kërcënime, presione
mediatike e denigrime të protagonistëve.
Trysnia e ushtruar mbi shoqërinë civile, provokimi dhe kërcënimet
ndaj saj, për të hequr dorë nga protestat që kundërshtojnë
vendimet e qeverisë dhe veprimet e klasës politike aktuale,
gjykojmë se janë një dhunim flagrant i të drejtave
universale të njeriut, i kushtetutës së vendit dhe një
atentat ndaj demokracisë. Kjo trysni është vazhdim i
strategjisë së klaneve politike, të implikuar me krimin,
që në këto 14 vjet, synojnë mbajtjen e monopolit
dhe pengimin e çdo rryme që mund të sillte zhvillimin
e proceseve reformuese dhe ndonjë lëvizje të re politiko-
shoqërore.
Lufta për mbajtjen e këtij monopoli ka çuar vazhdimisht
në manipulimin e votimit dhe zhvlerësimin e procesit elektoral.
Vendin tonë, në këto 14 vjet, e kanë udhëhequr
dy parti, të cilat, edhe pse fillimisht u mbështetën
nga shumica e zgjedhësve, aktualisht, së bashku me të
gjithë partitë e tjera të spektrit të tyre, nuk
kanë më shumë se 35 % të elektoratit. Pas 14 vjet
tranzicion, 65 % e popullit nuk merr pjesë në votime. Populli
nuk përfaqësohet në rreth 70 % të vendeve të
parlamentit. Pra, populli nuk përfaqësohet as në vendimmarrje
as në qeverisjen e tij.
Nuk mohohen vlerat pozitive të individëve të veçantë
brenda klasës aktuale politike, por e gjithë kjo klasë
është futur në një batak që i ka sjellë
vendit vazhdimisht vetëm kriza, korrupsion, krim të organizuar,
regres e tragjedi. Shumica e militantëve që janë punësuar
në administratë e shohin zyrën si një mjet fitimprurës.
Për këtë arsye 25000 djem e vajza, që kanë
mbaruar me nivel shumë të mirë arsimin e lartë,
presin të emigrojnë jashtë vendit, sepse atyre nuk u
janë afruar as auditoret politike as vendet e punës në
administratë.
Mediat, edhe pse kanë përparuar në llojshmëri e
profesionalizëm, janë nën kontrollin e politikës
dhe, si rrjedhojë, nuk kanë mundur ta lëvizin shoqërinë
përpara. Inteligjencia shqiptare, e afirmuar për nivelin e
saj të lartë në shkallë botërore, vazhdon të
emigrojë e pavlerësuar, e zhgënjyer dhe pa rrugëdalje.
Partitë politike aktuale janë të interesuara të
komprometojnë lëvizjet sindikaliste dhe iniciativat e shoqërisë
civile duke i politizuar, sfumuar, përçarë dhe bërë
të paefektëshme veprimtaritë e tyre. Në mënyrë
demagogjike, për të justifikuar praninë e rinisë
dhe të gruas në politikë e vendimmarrje, lidershipi aktual
politik përdor për “dekor” forumet e grave dhe
të të rinjve në këto parti.
Fatkeqësisht, komuniteti ndërkombëtar nuk i ka analizuar
me objektivitet partitë aktuale politike shqiptare, të cilat
nuk kanë mision, nuk udhëhiqen nga parime demokratike dhe
nuk reformohen. Demokracia dhe reformat që kërkon komuniteti
ndërkombëtar janë në udhëkryq.
Shqiptarët kanë marrë mesazhin se vetëm pas vitit
2025 mund të bashkohen me Europën. Ky mesazh na e bën
të qartë se shpejtimi drejt Europës është shpejtimi
i procesit të reformimit e kjo kërkon, në radhë
të parë, reformimin e klasës politike, me formacione
të reja, me vizione të reja e mision të vërtetë
politik.
*****
PËR
SA MË SIPËR:
Rrjeti
për Demokraci dhe Shtetin e së Drejtës i drejtohet Presidentit
të Republikës së Shqipërisë, Kryetarit të
Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministrit të Republikës
së Shqipërisë, Krerëve të Besimeve Fetare,
OSBE-së, gjithë opinionit publik europian, qeverive të
vendeve të BE-së, Departamentit të Shtetit të SHBA-së
dhe Opinionit Mbarëkombëtar të kontribuojnë dhe
ushtrojnë autoritetin e nevojshëm për ta nxjerrë
popullin shqiptar nga gjendja në të cilën ndodhet.
Pas ngjarjeve të viteve 1997, populli shqiptar është
i traumatizuar, ka humbur shpresën dhe besimin ndaj demokracisë.
Pa ndihmën e të gjithë faktorëve pozitivë,
të brendëshëm e të jashtëm, gjendja nuk mund
të ndryshojë
Është e nevojshme dhe e çmueshme për vendin, që
individë apo grupe qytetarësh, veçanërisht të
rinj e intelektualë, të themelojnë, sipas kushtetutës
dhe parimeve europiane, një lëvizje gjithëshoqërore
për një klasë të re politike shqiptare të paimplikuar
me krimin e manierat e kontigjenteve aktuale, me projekte të qarta
për reformat e integrimin.
Rrjeti për Demokraci dhe Shtetin e së Drejtës fton intelektualë
e të rinjë të shoqërisë civile, të institucioneve
private e shtetërore, të stafeve të mediave e bisnesit,
të auditorëve të partive politike dhe dikastereve qeverisëse,
që ta ndërmarrin me guxim hapin për ndryshimin e gjendjes
politiko-shoqërore nëpërmjet faktorit të ri politik,
duke mbajtur kështu përgjegjësinë politike për
vendin.
NË MBËSHTETJE TË PROPOZIMEVE
TË BËRA:
Rrjeti për Demokraci dhe Shtetin e së
Drejtës i kërkon Parlamentit Shqiptar dhe Presidentit të
Republikës së Shqipërisë:
1- Riformulimin e Kodit Zgjedhor, jo mbi bazën e marrëveshjes
së dy partive të mëdha politike, por të mendimit
të kualifikuar të specialistëve dhe të shoqërisë
civile, për sigurimin e demokracisë, garantimin e paprekshmërisë
së votë dhe pjesmarrjen e të gjithë qytetarëve
në votim.
2- Të rishikohet Ligji mbi Partitë Politike në interes
të zgjerimit e konsolidimit të demokracisë, për
të mos lejuar dukuritë e Partisë Shtet dhe për të
siguruar marrëdhënie demokratike midis partive dhe shoqërisë
civile.
3-Të rishikohet Ligji mbi pastërtinë e figurës së
politikanit dhe deklarimin e pasurisë që, krahas komisionit
të posaçëm, kjo veprimtari të jetë edhe objekt
i punës së Shërbimit Informativ shtetëror.
4-Shërbimi Informativ Shtetëror të jetë nën
vartësinë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
5- Të ngrihet një Komision Kombëtar për hetimin
e lidhjeve të krimit me politikën, zbulimin e organizatorëve
dhe implikimin e klasës politike në dhunimin e institucioneve
shtetërore, vrasjet e terrorin mbi popullsise në ngjarjet
e vitit 1997.
RRJETI
PËR DEMOKRACI DHE SHTETIN E SË DREJTËS
GRUPI
NISMËTAR
1-
Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar :Gjin MARKU (Kryetar)
2 - Të Rinjtë Europianë për Sigurinë (YES Albania)
: Kastriot NOLI (Drejtor Ekzekutiv)
3 - Forumi i Gruas në Biznes : Eva POJANI (Presidente)
4- Shoqata e Mjekëve Ambjentalistë : Prof. As Gëzim BOÇARI
(Kryetar)
5- Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptar
: Ilir ÇUMANI (Drejtor)
6- Prof. As Yllka SELIMI Instituti i Kulturës Popullore
7- Dr. Eriketa Kambo, Instituti i Historisë
KONTAKT:
Adresa: Rr. "M. Muça" Pall. 46 Ap. 23 Tirane Albania
Tel & Fax 00355 4 263 126. Tel 00355 4 259 124
Mobil 068 27 37 989
E-mail: gjin_marku@pajtimi.com gjin_marku@yahoo.com
Web: www.pajtimi.com www.reconciliation.com